Sindikata e pedagogëve ka zhvilluar një marshim nga Universiteti Politeknik i Tiranës drejt Kryeministrisë, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që prej muajsh protestojnë për ndryshime dhe përmirësimin e kushteve të tyre.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, deklaroi se mbështet kërkesat e studentëve dhe do të jenë në shesh çdo ditë në orën 10:00
“Me grupin e sindikatës kemi diskutuar se cili do të ishte qëndrimi ynë në vijimësi. Qëndrimi paraprak është ky: Mbështesim studentët tanë. Qëndrimi i dytë, ne të mblidhemi çdo ditë këtu në orën 10:00, në mënyrë që çdo ditë të shprehim solidaritetin me studentët. Kjo të ndodhë derisa të jetë e nevojshme. Çdo ora 10:00 çdo ditë jemi para Universitetit Politeknik të Tiranës”, tha Kovaçi sipas A2 CNN.
Ai u bëri thirrje prindërve, qytetarëve që të mbështesin masivisht protestën e fëmijëve të tyre.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë prindërve, gjithë qytetarëve që të mbështesin masivisht protestën e fëmijëve të tyre, të studentëve dhe të nxënësve shqiptarë. Tani në mënyrë simbolike sot do të do të kemi përpara një baner që bën thirrje kundër dhunës së policisë ndaj studentëve dhe do të marshojmë drejt kryeministrisë”.
Gjatë fjalës së tij ai ngriti shqetësimin për vështirësitë ekonomike, problemet e infrastrukturës universitare, strehimit dhe bibliotekave. Sipas Kovaçit, sindikata i ka drejtuar qeverisë kërkesa zyrtare që prej marsit, por nuk ka marrë përgjigje, ç’ka ka shtuar pakënaqësinë dhe ka sjellë përshkallëzimin e protestave.
Kovaçi kritikoi reagimin e policisë ndaj protestuesve, duke e cilësuar dhunën ndaj të rinjve të papranueshme dhe u bëri thirrje ambasadave të huaja, Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian që të ndjekin situatën në Shqipëri dhe të kontribuojnë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.










