Policia e Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar për dhunë në familje në Ferizaj, pas qarkullimit të një video-incizimi në rrjetet sociale, në të cilin dëgjohej një person duke bërtitur.
Sipas njoftimit të policisë, rasti është raportuar rreth orës 19:50, kur zyrtarët policorë kanë pranuar informatë për videon që po qarkullonte në rrjetet sociale dhe që ngriti dyshime për dhunë në familje.
Pas pranimit të informatës, njësitë reaguese kanë identifikuar lokacionin në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj, ndërsa një person 36-vjeçar është shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit për dhunën në familje që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave./teve1.info/









