Profesori i së drejtës, Nexhmedin Spahiu, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës, ku është përfolur mundësia e dorëheqjes së kryetarit Bedri Hamza.
I ftuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Spahiu ka vlerësuar se PDK-ja nuk duhet të heqë dorë nga Hamza, duke e konsideruar atë një nga figurat që mund ta udhëheqin më mirë partinë në rrethanat aktuale.
“Mendoj se, në situatën në të cilën ndodhet PDK-ja, nuk është mirë të lejohet largimi i Bedri Hamzës nga kreu i partisë. Pas Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ai është njëri prej kryetarëve që mund ta udhëheqë më mirë PDK-në. Bedriu është personalitet që mund ta mbajë këtë pozitë, duke pasur parasysh natyrën dhe qasjen e tij”, ka thënë Spahiu.
Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e Hamzës në procesin e zgjedhjes së presidentes, duke theksuar se kjo ishte meritë edhe e deputetëve të tjerë të PDK-së, por se Hamza kishte rol të veçantë si kryetar i partisë.
Spahiu ka shtuar se, pavarësisht interesimit të mundshëm të Hamzës për të vazhduar në këtë pozitë, vetë partia duhet të angazhohet për ta mbajtur atë në krye.
“Unë nuk e di se kush mund ta menaxhojë situatën më mirë se Bedri Hamza. Ndoshta Bedriu nuk është edhe aq i interesuar të jetë kryetar i PDK-së, mirëpo partia duhet të jetë e interesuar ta mbajë atë edhe më tutje në këtë pozitë”, ka thënë Spahiu.
Duke folur për emrat që mund ta pasojnë Hamzën në rast të largimit të tij, Spahiu ka përmendur Vlora Çitakun dhe Përparim Ramën, por ka shprehur rezerva nëse ata do të mund ta udhëhiqnin partinë më mirë se kryetari aktual.
“Unë nuk besoj se këta emra që po përmenden mund ta bëjnë më mirë se Bedri Hamza”, ka deklaruar Spahiu.
Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar nga vetë Hamza për dorëheqjen nga drejtimi i PDK-së.









