Gjykata Supreme e Kosovës ka kthyer në rigjykim kontestin juridik ndërmjet tri shoqërive tregtare, Ndërmarrjes Publike Banesore dhe Komunës së Prishtinës, lidhur me përmbushjen e kontratës ose kompensimin e dëmit material.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, revizionet e paraqitura nga kompanitë Made Group Construction SH.P.K., Arkos SH.P.K. dhe Madekos SH.P.K., Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. dhe Komuna e Prishtinës janë aprovuar si të bazuara.
Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 13 tetor 2026, ka prishur aktgjykimet e Gjykatës Komerciale të Kosovës, përkatësisht të Dhomave të Shkallës së Parë dhe të Shkallës së Dytë, të nxjerra më 17 mars dhe 5 qershor 2026.
Me këtë vendim, çështja është kthyer në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se në vendimet e mëparshme janë evidentuar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim i gabuar i së drejtës materiale. Sipas saj, për pasojë, gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë.
Kontesti lidhet me kërkesën për përmbushjen e kontratës ose kompensimin e dëmit material, duke përfshirë dëmin e zakonshëm dhe fitimin e humbur.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka dhënë arsyetimin dhe udhëzimet përkatëse se si duhet të veprojnë gjykatat e instancës më të ulët gjatë rigjykimit të çështjes.







