Policia e Kosovës ka sekuestruar armë zjarri në tri raste të ndara në rajonin e Gjakovës, dy prej të cilave lidhen me të shtëna me armë zjarri, përfshirë një aheng familjar.
Sipas njoftimit të Policisë, në Mleqan të Malishevës, pas raportimit për të shtëna gjatë një ahengu familjar, janë sekuestruar 13 gëzhoja, një pistoletë me gaz dhe 15 fishekë.
Ndërkaq, në Bitesh të Gjakovës, pas raportimit për të shtëna me armë zjarri, janë gjetur tri gëzhoja, ndërsa është dorëzuar një pistoletë me 75 fishekë.
Rasti i tretë është regjistruar në Tërpezë të Malishevës, ku gjatë patrullimit policor është hasur një person që posedonte armë të gjatë. Ai e ka dorëzuar armën së bashku me tetë fishekë dhe një karikator.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke apeluar te qytetarët që të mos përdorin armët e zjarrit dhe çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në polici”, thotë PK.







