Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët që votuan në lexim të dytë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se miratimi i këtij ligji përbën një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së kushteve për integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas tij, me miratimin e këtyre ndryshimeve, Kosova plotëson edhe kushtin e fundit për t’u integruar në sistemin evropian të pagesave, i cili synon të lehtësojë transfertat bankare dhe të ulë kostot e tyre.
“Miratimi i këtij ligji i mundëson Kosovës të plotësojë edhe kushtin e fundit për t’u integruar në sistemin evropian të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area). Ky integrim mundëson transferta bankare të parave me kosto shumë më të ulët dhe do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve e mërgatës sonë rreth 58 milionë euro në vit nga tarifat e reja”, ka shkruar Kurti.
Integrimi në SEPA pritet të lehtësojë dërgimin dhe pranimin e parave në euro, duke sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe mërgatën e Kosovës.









