Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Robert de Groot, para nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë për projektin që synon përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.
Sipas komunikatës për media të Kryeministrisë, Kurti e falënderoi De Groot për vizitën, ndërsa ky i fundit e uroi për presidenten e re.
Gjatë takimit, palët diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe rritjes së investimeve të përbashkëta.
“Teksa përmendi rritjen e qëndrueshme ekonomike, për çka mori përgëzime, kryeministri Kurti foli për planet për investime në hekurudha, ndërtimin e pesë digave të reja, sikurse në infrastrukturën sportive si përgatitje për Lojërat Mesdhetare 2030”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes dhe sektorin e energjisë, përfshirë krijimin e kapaciteteve të reja dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.
Takimi u zhvillua në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë për përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës në Kosovë.







