Një shtetas kosovar, i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar për vepër penale që lidhet me narkotikët, është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi i personit me inicialet Sh.H. është realizuar më 9 tetor 2026, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ai kërkohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Policia bëri të ditur se ekstradimi u realizua në bazë të legjislacionit në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Gjermanisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore./teve1.info/







