Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Forumi i Parë Kosovë-Britani synon thellimin e partneritetit mes dy vendeve përtej lidhjeve politike dhe diplomatike.
Në hapje të Forumit të Biznesit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë 2026, Kurti ka thënë se ndërlidhja ekonomike krijon lidhje të qëndrueshme mes njerëzve dhe popujve.
“Përderisa miqësia jonë afatgjatë dhe marrëdhëniet diplomatike tona i kanë afruar shtetet tona, është ndërlidhja ekonomike ajo që krijon ndërlidhje të qëndrueshme në mes njerëzve dhe popujve tanë. Bizneset bëjnë diçka që qeveritë vetëm nuk mund ta arrijnë. Ato ofrojnë mundësi praktike për njerëzit, duke krijuar vende pune, duke hapur tregje dhe duke mundësuar që idetë të tejkalojnë kufijtë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe janë ndërtuar ndër vite, duke përmendur njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kontributin britanik në kuadër të KFOR-it.
Kurti ka kujtuar edhe hyrjen e trupave britanike në Kosovë në qershor të vitit 1999, nën udhëheqjen e atëhershme të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Mike Jackson.
Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve është zgjeruar edhe në fushën e sigurisë.
“Sot jemi krenarë me faktin që Kosova nuk ka qenë vetëm marrëse e kësaj mbështetjeje, por ka bërë një rol aktiv në kontributin e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për zhvillimin ekonomik, kryeministri ka thënë se Kosova ka shënuar rritje ekonomike në vitet e fundit.
Ai ka bërë të ditur se rritja e Bruto Produktit Vendor ishte 4.3 për qind në tremujorin e parë dhe 4.2 për qind në tremujorin e dytë.
“Njëkohësisht, në pesë vitet e fundit, fitimet korporative janë ngritur për 150 përqind. Në të njëjtën periudhë, krijimi i bizneseve të reja është ngritur me 26 përqind, ndërsa bizneset me pronësi të jashtme janë ngritur për 55 përqind”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar edhe rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte.
Sipas tij, eksportet janë dyfishuar, ndërsa raporti eksport-import është përmirësuar nga 1 me 9 në 1 me 6.
Ai ka thënë se investimet e huaja direkte kanë arritur në 847 milionë euro, ndërsa në vitet e fundit, për herë të parë, kanë kaluar shifrën prej 1 miliard eurosh.
Kurti ka përmendur teknologjinë informative dhe të komunikimit, infrastrukturën dhe energjinë si sektorë me potencial të madh për investime të mëtejshme.
Ai ka theksuar se Qeveria ka forcuar edhe kornizën ligjore për investitorët e huaj, me synim krijimin e një mjedisi më të parashikueshëm dhe mbështetës për investime.
“Ligjet e Kosovës ofrojnë trajtim të barabartë për investitorët e huaj dhe ata vendorë, dhe institucionet tona vazhdojnë të përforcojnë kushtet për investime të qëndrueshme dhe afatgjata”, ka thënë Kurti.










