Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza ka akuzuar partinë Vetëvendosje për pavendosmëri duke e mbajtur atë përgjegjës për situatën e krijuar në Kosovë.
Hamza ka thënë se vendi duhet të ketë stabilitet politik.
“Unë nuk besoj që vendi duhet të shkoj në zgjedhje. Unë besoj se duhet të ketë stabilitet politik, institucional. Ka pasur opsione, nuk të pëlqen me PDK-në, bëje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. ‘Me LDK-në s’po më pëlqen, me PDK-në s’po më pëlqen’. ME LDK-në kritere tjera, me PDK-në të tjera. Prandaj, [Vetëvendosje] është përgjegjëse për situatën e krijuar në vend”.
Në të njëjtën deklaratë, Hamza ka shprehur keqardhje për eskalimin e protestës në mbrëmjen e djeshme, duke i quajtur veprimet e qytetarëve “jo proporcionalë”.
“Më vjen keq për ato që kanë ndodhur në mbrëmje, unë normalisht që kërkoj që gjithçka të jetë demokratike ligjore, por realisht dhuna e përdorur është.. unë nuk e kam parë gjatë ditës sepse kam qenë i ngarkuar por kur sheh në media se çka ka ndodh nuk është mirë t’i shohim këto skena nga qytetarët e Kosovës, dhuna ka qenë jo proporcionale”.
Më 5 tetor situata u tensionua para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit hodhën mjete piroteknike drejt Kuvendit, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës./KP/







