Protestuesit janë rikthyer në numër të madh në sheshin “Skënderbeu”, pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Bashkë me ta në shesh janë edhe deputetë të dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës.
Mes protestuesve dhe institucioneve janë të vendosur një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, Forcat Speciale të Policisë së Kosovës janë zhvendosur nga pozicioni pranë Teatrit Kombëtar drejt objektit të Qeverisë, duke lënë të lirë atë pjesë të zonës.
Pas lëvizjes së forcave policore, protestuesit janë afruar drejt ndërtesës së Qeverisë.
Deputeti i PDK-së dhe ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, u ka bërë thirrje protestuesve që të qëndrojnë të qetë.
Ndërkaq, deputetët e PDK-së, Enver Hoxhaj, Blerta Deliu-Kodra dhe Ariana Musliu-Shoshi, kanë biseduar me komandantin operacional të Policisë së Kosovës, duke kërkuar tërheqjen e forcave policore nga zona e protestës.
Ata gjithashtu kanë shprehur shqetësim për përdorimin e forcës, të cilin e kanë cilësuar si joproporcional.







