Asambleistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Vlora Mjekiqi Kabashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet në këtë parti.
Ajo ka bërë të ditur se nga sot mandatin në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdojë si asambleiste e pavarur.
Mjekiqi Kabashi ka thënë se deri më tani ka qenë edhe kryetare e Forumit të Gruas në LDK-në e Obiliqit, si dhe delegate në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.
Ajo e ka lidhur dorëheqjen me qëndrimin e LDK-së për çështjen e UÇK-së dhe zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara.
“E vetëdijshme se Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e mbështetur edhe nga SHBA dhe NATO-ja, dhe e bindur se liria është më shumë se çdo përkatësi partiake, pasi LDK-ja nuk e mbështeti këtë parim themelor se liria është mbi çdo parti, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që kam në LDK”, ka shkruar ajo.
Mjekiqi Kabashi ka falënderuar qytetarët e Obiliqit për besimin e dhënë, derisa ka njoftuar se do të vazhdojë si asambleiste e pavarur.
Gjatë ditës edhe asambleisti i LDK-së në Obiliq ka dhënë dorëheqje nga partia.
Asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Labinot A. Mirena, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se vendimi i tij lidhet me mospajtimin ndaj qëndrimit të LDK-së për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Prandaj, nga sot mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka deklaruar ai.
Deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë sot në votimin për Projektligjin për Speciale.







