Ka nisur realizimi i projektit të ndërtimit të rrugës në Uglar, e cila do të lidhë komunën e Fushë-Kosovës me atë të Graçanicës.
Rruga do të ketë gjatësi prej 2.8 kilometrash, ndërsa investimi i përgjithshëm kap vlerën e 1 milion e 320 mijë eurove, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, si dhe nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti.
Kryeministri Kurti ka thënë se ky projekt do të ketë rëndësi të veçantë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, lehtësimin e qarkullimit dhe shkarkimin e trafikut të dendur në kryeqytet.
Ai ka theksuar se rruga, e cila mban emrin e dëshmorit të kombit Agron Rrahmani, do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në trafik, shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe lehtësimin e lëvizjes për qytetarët dhe bizneset.
Sipas tij, projekti përfshin ndërtimin e trotuareve, kanalizimit atmosferik dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse, me qëllim të krijimit të kushteve më të sigurta dhe më moderne për qarkullim.
“Kostoja e gjithmbarshme është 1 milion e 320 mijë euro, prej të cilave 1.1 milionë është nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, pra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërkaq 220 mijë euro janë nga Komuna e Fushë Kosovës, për çfarë i falënderoj për këtë bashkëpunim”, ka bërë të ditur ai.
Kurti e ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, duke theksuar se investimet në infrastrukturë dhe zhvillimi i shërbimeve publike janë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve./teve1.info/




