Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka pasur një periudhë të ngarkuar gjatë dy javëve të fundit në Ligën e Kombeve.
Brenda dhjetë dite, Kosova i zhvilloi katër ndeshje në kuadër të sezonit të ri në Ligën e Kombeve, duke u paraqitur për herë të parë në ligën B të kësaj gare.
Përkundër kësaj ngarkese, te Kosova vetëm tre futbollistë ishin të pazëvendësueshëm, duke u paraqitur në të katër duelet.
Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi dhe Mërgim Vojvoda u aktivizuan në të gjitha katër ndeshjet e Kosovës dhe ishin ndër më të dalluarit në fushë.
Prej katër ndeshjeve të luajtura, Kosova i tuboi pesë pikë, duke pësuar vetëm një humbje dhe atë në Vjenë nga Austria.
Grumbullimi i radhës për Kosovën do të jetë në muajin e ardhshëm, ku “Dardanët” i kanë dy ndeshjet e fundit të këtij sezoni të Ligës së Kombeve.
Do të përballen me Irlandën në udhëtim dhe Izraelin në Prishtinë.







