Analisti dhe profesori universitar, Sadri Ramabaja, e ka vlerësuar si shumë pozitiv takimin për të cilin është diskutuar gjatë ditës ndërmjet presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Takimi Trump-Kurti do të duhej të ishte lajmi i ditës. Gazetarët në Kosovë kanë dilema për vërtetësinë e fotografisë. Kjo është e çuditshme dhe nuk ka logjikë”, ka thënë Sadri Ramabaja në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai thotë se Amerika është aleati kryesor i Kosovës.
“ShBA janë partneri kryesor i Kosovës. Takimi i Kurtit me Trump është i mirëseardhur. Si lajm është tejet pozitiv dhe më ka gëzuar teje mase. Flitet se janë diskutuar 3-4 tema dhe ky është lajm i mirë. Këto takime përgatiten më parë edhe nëse zgjasin pak minuta, andaj duhet të jemi optimist”, theksoi Ramabaja.
Kurti ka ndarë sot foton nga takimi i tij i parë me Presidentin amerikan Donald Trump, i zhvilluar pak ditë më parë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në postimin e tij, kryeministri i Kosovës tha se e falënderoi Trumpin për mbështetjen ndaj rritjes së investimeve në mbrojtje brenda NATO-s, duke theksuar se Kosova synon të bëhet pjesë e Aleancës.
Kurti e cilësoi SHBA-në si aleatin kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special të Republikës së Kosovës, duke vënë në dukje rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.




