Presidenti rus Vladimir Putin ka konfirmuar se Rusia ka lëshuar një deklaratë dhe ka dërguar letra drejt disa ambasadave lidhur me kërcënimet që, sipas Moskës, vijnë nga Perëndimi.
Putin pretendon se deklarata e Rusisë nuk përbën një kërcënim, por një reagim ndaj asaj që ai e konsideron si përpjekje për të kërcënuar Rusinë.
“Nuk jemi ne duke kërcënuar, por është përgjigje ndaj përpjekjeve për të na kërcënuar”, ka deklaruar Putin
Sipas tij, shqetësimi lidhet me deklaratat e disa politikanëve perëndimorë dhe evropianë për mundësinë e një lufte me Rusinë në vitet e ardhshme.
“ Këto deklarata, deklarata nga politikanët perëndimorë dhe politikanët evropianë rreth nevojës, mundësisë dhe përgatitjes për luftën me Rusinë në vitet 2029 dhe 2030. Nuk jemi ne që i themi këto fjalë, por i dëgjojmë nga pala tjetër, vazhdimisht”, ka thënë ai.
Putin deklaroi se në rast të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Federatës Ruse, Moska do ta konsideronte përdorimin e të gjitha armëve që ka në dispozicion.
Ai përmendi në mënyrë të veçantë Kaliningradin, duke lënë të hapur mundësinë që një skenar i tillë të përfshijë edhe territore të tjera.
“Nëse bëhet fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Federatës Ruse – në këtë rast nënkuptojmë Kaliningradin, por mund të jetë edhe në disa territore të tjera – sigurisht, natyrisht, menjëherë ajo që do të jetë në axhendë është përdorimi … i të gjitha armëve që ne i kemi në dispozicion në vendin tonë ”.
Ai ka thënë se me NATO-n si një kundërshtar të mundshëm “që na tejkalon”, Rusia nuk do të kishte “shumë mjete për t’iu kundërvënë një kërcënimi të tillë” dhe do të duhej të përdorte “avantazhet e saj konkurruese”, shkruan Guardian.
Në të njëjtën kohë, Putin ka thënë se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore lidhet me seriozitetin e kërcënimeve që Rusia percepton nga NATO.
Sipas tij, përdorimi i armëve bërthamore do të konsiderohej vetëm nëse kërcënimet ndaj Rusisë do të ishin serioze.










