Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Przhno të Malit të Zi.
Ai tha se gjatë këtij takimi ka ngritur çështjen e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Pasivizimi i adresave, pengesat në njohjen e diplomave dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm në institucionet shtetërore janë probleme konkrete që kërkojnë zgjidhje konkrete. Të drejtat e komuniteteve duhet të garantohen dhe të respektohen njësoj për të gjithë”, tha Konjufca.
Ai po ashtu ka theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi rajonal të mbështetur në barazi, si dhe nevojën që marrëveshjet e arritura të përkthehen në rezultate konkrete për qytetarët.
“Për Kosovën, integrimi evropian duhet të ecë përpara mbi bazën e meritave dhe rezultateve. Progresi i arritur duhet të pasohet nga hapa konkretë në procesin e integrimit, që për Kosovën nënkupton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Procesi i Berlinit e dëshmon vlerën e tij atëherë kur bashkëpunimi rajonal shndërrohet në rezultate konkrete dhe të prekshme në jetën e qytetarëve”, tha Konjufca.







