Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar protestën studentore të 1 tetorit 1997 si një akt politik dhe akt rezistence ndaj regjimit serb.
Në një postim në Facebook, Rama ka rikujtuar protestën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve dhe të udhëhequr nga rektori i atëhershëm, Ejup Statovci.
Rama ka thënë se studentët dolën në rrugë për të kërkuar rikthimin në objektet universitare, prej të cilave shqiptarët ishin përjashtuar në vitin 1991.
Sipas tij, pas viteve të mësimit në shtëpi private dhe moszbatimit të marrëveshjes për arsimin, studentët e shndërruan kërkesën për të drejtën e tyre në një veprim publik.
“ Kërkesa për kthim në universitet kishte domethënie të thellë politike. Ajo sfidonte një regjim që, përmes përjashtimit nga arsimi dhe institucionet, synonte t’ua mohonte shqiptarëve të drejtat elementare”, ka shkruar Rama.
Ai ka kujtuar edhe përballjen e studentëve me policinë serbe në lagjen “Velania”, duke theksuar se marshimi paqësor u pengua dhe u shoqërua me dhunë.
Për Ramën, protesta e 1 tetorit përfaqëson kontributin e një brezi studentësh që e kthyen përjashtimin nga universiteti në mobilizim dhe kërkesën për arsim në një çështje më të gjerë të lirisë dhe dinjitetit.
“Ky është kontributi i një brezi të tërë, i vajzave dhe djemve që e shndërruan përjashtimin në mobilizim dhe të drejtën për arsim në një çështje të lirisë e të dinjitetit kombëtar”, ka shkruar ai. Sot, Kryeqyteti Prishtina e nderon këtë brez që më 1 tetor 1997, kërkuan vendin e tyre në universitet dhe afirmuan vendin e një populli në të ardhmen e vet”, ka përfunduar Rama./teve1.info/







