Ndeshja e Ligës së Kombeve mes Finlandës dhe Shqipërisë, që do të luhet të shtunën në Helsinki, do të gjykohet nga arbitra irlandezë. UEFA ka përzgjedhur një skuadër arbitrash nga Irlanda, me kryesor Rob Hennessy.
Bëhet fjalë për një arbitër 35-vjeçar, i cili është ndërkombëtar që prej vitit 2017. Ai ka gjykuar më parë ndeshje ndërkombëtare, por kryesisht në raundet e para eliminatore. Asistentë të Hennessy do të jenë Dermot Broughton dhe Emmett Dynan po nga Irlanda.
Arbitër i katërt për këtë ndeshje është caktuar Aaron O’Dowd nga Irlanda, kurse në sistemin VAR do të jenë skocezët Kevin Clancy dhe John Beaton.
Ndeshja Finlandë-Shqipëri luhet të shtunën, në orën 15:00. Kuqezinjtë udhëheqin grupin me 6 pikë, pas fitoreve me Bjellorusinë dhe San Marinon. Finlanda konsiderohet si rivali kryesor i Shqipërisë për vendin e parë në grupin 1 të Ligës C.
Duhet theksuar se Hennessy ka debutuar në arenën e rëndësishme ndërkombëtare pikërisht në Shqipëri. Ai ka drejtuar ndeshjen mes Skënderbeut dhe Sant Julia në Korçë në verën e vitit 2017, në suksesin 1-0 që nisi rrugëtimin e suksesshëm të ekipit të drejtuar nga Ilir Daja në Ligën e Evropës, duke kulmuar me kualifikimin në fazën në grupe të turneut.









