Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet me rreth 4 për qind në vit, ndërsa borxhi publik, sipas tij, mbetet ndër më të ultët në Evropë.
Kurti tha se gjatë vitit të kaluar Kosova u bë donatore e Fushatës Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore, ndërsa Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë larguar Kosovën nga listat e shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti.
“Ekonomia vazhdon të rritet 4% në vit, ndërsa borxhi ynë publik mbetet më i ulti në Evropë, vitin e kaluar Kosova u bë donator e Fushatës Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore dhe sikur Banka Botërore ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na hoqën nga listat e tyre të shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti, këtë rritje e kemi ndarë me qytetarë tanë përmes shtesave për fëmijë dhe për nëna, pensioneve më të larta dhe pagës minimale më të lartë. Masa që për herë të parë janë vendosur ose janë rritur në këtë dekadë, Kosova është partnere e besueshme e BE-së, ne jemi 100% të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së përfshirë edhe çdo sanksion kundër Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës”, ka deklaruar Kurti në konferencë për media.
Sipas tij, rritja ekonomike është reflektuar edhe te qytetarët përmes shtesave për fëmijë dhe nëna, rritjes së pensioneve dhe pagës minimale. Kurti theksoi gjithashtu se Kosova mbetet partnere e besueshme e Bashkimit Evropian dhe se është 100 për qind e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës.
Ai bëri të ditur se në takimin me Von der Leyen ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, me qëllim që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Po ashtu, Kurti tha se ka kërkuar integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në Kornizën Evropiane të Akreditimit.
“Mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE mbetet më e larta në rajon menjëherë pas Shqipërisë, agjenda e reformave në kuadrin e Planit të Rritjes po zbatohet, Kosova ishte ndër vendet e para që e dorëzoj atë dhe ndonëse zbatimi zgjati më shumë se sa që ishte planifikuar çdo reformë do të përmbushet. Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet mbrapa. Në takim tonë i kërkova presidentes Von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët ku tashmë janë anëtarësuar tre nga fqinjët tanë që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe BE-së, kërkova gjithashtu integrimin e Kosovës në organizatat Evropiane të standardizimit dhe në Kornizën Evropiane të Akreditimit. Në dhjetor bëhen katër vite që Kosova aplikoi për anëtarësim në BE, bazuar në meritë Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, tha ai./teve1.info/







