Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka reaguar pasi partitë shqiptare në Luginën e Preshevës janë bërë bashkë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Serbi duke deklaruar se për Qeverinë e Shqipërisë, kjo nuk përbënë lajm.
“Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm. Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe. Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem. Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër. Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë”, ka shkruar Marjana Koçeku në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”.
Ajo vlerëson se Qeveria e Kosovës për dallim nga ajo e Shqipërisë, i mbështet shqiptarët në Luginë edhe me mjete financiare.
“Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?”, shkruan Marjana Koçeku.
Kjo e fundit ka qenë deputete e Partisë Socialiste, mirëpo muaj më parë ka dhënë dorëheqje për t’u përfaqësuar si e pavarur.







