Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Dirk Schübel.
Në takim është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit, si dhe prioritetet e reformës në drejtësi.
Gërvalla ka veçuar si prioritete themelimin dhe funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut dhe pakon e ligjeve për reformën në drejtësi.
Sipas saj, në agjendë janë edhe finalizimi i legjislacionit civil dhe avancimi i reformave që lidhen me Planin e Rritjes.
Gjatë takimit është diskutuar edhe qasja e barabartë në drejtësi për të gjitha komunitetet, si dhe forcimi i përgjegjshmërisë institucionale në trajtimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë trajtimi i krimeve të luftës dhe drejtësia për viktimat.
Gërvalla ka theksuar se drejtësia për këto raste mbetet detyrim i institucioneve të Kosovës ndaj viktimave dhe së vërtetës.
Në fund të takimit, ministrja ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi.
Ajo gjithashtu e ka uruar Schübelin për marrjen e detyrës së re./teve1.info/







