Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka komentuar zhvillimet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u ndalur edhe te deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në emisionin “Matrix” në Tëvë1, të moderuar nga Mehmet Kalisi, Kulla tha se Rama e ka kritikuar ish-presidentin amerikan Joe Biden për çështjen e Thaçit, ndërsa theksoi se arrestimi i ish-presidentit të Kosovës ndodhi gjatë mandatit të Donald Trumpit. Rama së fundmi ka deklaruar në Nju Jork se, sipas tij, SHBA-ja mund të kishte bërë më shumë për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.
“Takimi ishte shumë i përzemërt, edhe pse presidenti Biden nuk ishte. Edi Rama e fajësoi Bidenin për çështjen e Thaçit dhe atyre që janë në Hagë. E di që presidenti Thaçi u arrestua gjatë kohës që Trumpi ishte president dhe u dënua gjatë kohës që Trumpi është president. E di që ndodhi gjatë kësaj kohe, në këto ngjarje. Nuk e di se çfarë kishte Biden, por ndoshta ka diçka më shumë që ne nuk e dimë”, ka thënë Kulla.
Kulla është ndalur edhe te qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Nju Jork dhe takimeve të tij në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas tij, në rrethanat aktuale politike në të cilat ndodhet Kosova, vizita e Kurtit ishte e suksesshme.
“Kurti pati një vizitë të suksesshme, në kushtet dhe rrethanat në të cilat ndodhet Kosova. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë nuk u takua me askënd dhe ky është një indikator për ta vlerësuar”, është shprehur Kulla.




