Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka komentuar në emisionin “Matrix”, të moderuar nga Mehmet Kalisi, rastin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.
Hyseni është pezulluar nga detyra dhe ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të një hetimi të SPAK-ut. Ajo dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete.
Kulla ka thënë se rasti duhet të shihet përtej përgjegjësisë individuale të Hysenit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për mënyrën se si është menaxhuar informacioni në një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në Shqipëri.
“Ka dështuar institucioni më i rëndësishëm i vendit me menaxhimin e informacionit, ka dështuar drejtuesja e saj, ka dështuar edhe ajo që është bërë publike se çka ka ndodhur. Për arsyet se çka, qysh e tek, meqë ka një hetim, unë do të përmbahem”, ka thënë Kulla.
Ai ka theksuar se, pavarësisht zhvillimeve të fundit, nuk duhet të mohohen edhe vlerësimet pozitive që Hyseni mund të ketë pasur gjatë karrierës së saj.
“Në pikën ku është hedhur shumë baltë edhe në pikëpamjen personale ndaj kësaj zonje, nuk mendoj që ka vetëm vlerësim negativ për të, ka edhe rekordet e saj pozitive. Por është një botë në të cilën, kur triumfon dhe ke sukses të madh, i bien të gjithë gjoksit dhe thonë ‘kam edhe unë’, ndërsa kur dështon thonë ‘është faji i gjithë i yti’”, është shprehur ai.
Sipas Kullës, arsyet që kanë çuar situatën deri në këtë pikë janë më të thella dhe nuk mund të lidhen vetëm me një person.
“Arsyet e dështimit, pse mbërriti deri këtu, janë më të thella se aq. Po flas për atë që duket dhe që shikohet”, ka deklaruar Kulla.
Gjatë intervistës, Kulla është pyetur edhe për Ergys Agasin, i cili është përmendur në kuadër të kësaj çështjeje.
Ai ka thënë se Agasin e njeh mirë, ndërsa Hysenin nuk e ka takuar asnjëherë, pavarësisht se, siç tha, kanë miq të përbashkët.
“Ergys Agasin e njoh shumë mirë. Vlora Hysenin nuk e kam takuar ndonjëherë. Kemi shumë miq të përbashkët, por nuk jemi takuar ndonjëherë. Ergys Agasin e njoh shumë mirë, edhe pse s’kemi qenë kurrë miq, se jemi dy botë të ndryshme”, ka thënë Kulla.
Kulla ka kritikuar edhe mënyrën e emërimit të Hysenit në krye të SHISH-it, duke thënë se asaj i është ngarkuar një përgjegjësi shumë e madhe.
“Për mua gabimi është bërë në emërimin e kësaj zonje, që i është lënë në kurriz shumë më shumë peshë sesa mund të mbante. Mirëpo, nëse menaxhimi që është bërë nga kjo zonjë i shërbimit për llogari të z. Agasi është ai që pretendon Prokuroria, atëherë këtu është rënia e shtetit dhe dështimi i detyrës së saj si drejtuese e SHISH-it”, ka deklaruar ai.
Kulla ka theksuar se përgjegjësia për veprimet konkrete duhet të përcaktohet nga hetimi dhe organet e drejtësisë, ndërsa rasti ka ngritur pikëpyetje të mëdha për menaxhimin e informacionit dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë në Shqipëri.







