Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
PDK-ja ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen dhe kontributin në harmonizimin e tekstit të deklaratës së propozuar nga grupi parlamentar i kësaj partie.
Sipas PDK-së, me këtë deklaratë Kuvendi ka shprehur qëndrimin e tij për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e aktgjykimit, të cilin kjo parti e vlerëson të padrejtë.
“Tani ai vullnet duhet të kthehet në veprim konkret”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Qeveria ta procedojë pa vonesë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga kjo parti.
PDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që projektligji të trajtohet dhe të votohet me urgjencë.
“Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur”, thuhet në reagim.







