Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar referendumin e vitit 1991, me rastin e 35-vjetorit të mbajtjes së tij. Ai ka publikuar një fotografi të fletëvotimit të referendumit, ndërsa ka shkruar se nga 26 deri më 30 shtator 1991, në tërë Kosovën u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.
Sipas Kurtit, nga 1 milion e 51 mijë e 357 qytetarë me të drejtë vote, në referendum morën pjesë 914 mijë e 802, apo 87.01 për qind. Prej tyre, 913 mijë e 705 votuan për, 164 kundër, ndërsa 933 fletëvotime rezultuan të pavlefshme.
Kurti ka theksuar se referendumi pasoi Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të miratuar më 7 shtator 1990 në Kaçanik.
Sipas tij, referendumi i shtatorit 1991 përbën një ngjarje me rëndësi historike, pasi, siç ka shkruar ai, ishte hera e parë që qytetarët e Kosovës u deklaruan përmes votës për të ardhmen politike të vendit.
“Përmes këtij referendumi, populli i Kosovës ia bëri me dije Evropës dhe botës demokratike, aspiratën e tij politike që Kosova të jetë një shtet i pavarur dhe sovran si dhe i barabartë me shtetet e tjera demokratike”, ka shkruar Kurti.
Ai ka lidhur zhvillimet e vitit 1991 me periudhën e rezistencës paqësore dhe të armatosur gjatë viteve të mëvonshme, si dhe me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Kurti ka përmendur gjithashtu atë që e ka cilësuar si periudhë të “shtypjes dhe dhunës shtetërore”, “eksploatimit ekonomik dhe diskriminimit politik” dhe “spastrimit etnik”, duke ia atribuar këto veprime regjimit të Serbisë.
Në fund të reagimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për gjeneratat e aktivistëve që, sipas tij, kontribuuan në përpjekjet për liri, pavarësi, demokraci dhe shtetndërtimin e Kosovës.







