Kombëtarja e Irlandës do të zhvillojë ndeshjen ndaj Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve, pasi futbollistët irlandezë votuan me shumicë të konsiderueshme për vazhdimin e pjesëmarrjes në këto përballje.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i Federatës Irlandeze të Futbollit, David Courell, i cili bëri të ditur se vendimi u mor pas një votimi brenda skuadrës.
“Ne zhvilluam një votim mes skuadrës për të përcaktuar qëndrimin e tyre lidhur me zhvillimin e ndeshjeve me Izraelin. Shumica ishte e konsiderueshme dhe ishte në favor të vazhdimit”, ka deklaruar Courell.
Përballja e së dielës, e cila zyrtarisht llogaritet si ndeshje vendëse e Izraelit, do të zhvillohet në terren neutral në Debrecen të Hungarisë.
Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka bërë të ditur se një futbollist, emri i të cilit nuk është bërë publik, ka vendosur të largohet nga grumbullimi për ndeshjen ndaj Izraelit.
Vendimi i lojtarit shkaktoi edhe shtyrjen e konferencës së planifikuar për të shtunën, ndërsa më pas u zhvillua votimi brenda skuadrës.
“Askush nuk ndihet rehat duke luajtur këto ndeshje për shumë arsye. Po përpiqemi ta trajtojmë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Hallgrimsson.
Irlanda pritet të ketë edhe disa masa simbolike gjatë ndeshjes. Futbollistët do të mbajnë shirita të zinj në krahë në kujtim të “të gjitha jetëve të humbura në konflikt”.
Sipas Federatës Irlandeze, të ardhurat nga ndeshja ndaj Austrisë do të dhurohen për bamirësi, ndërsa futbollistët do t’i dhurojnë gjithashtu të ardhurat e tyre nga ndeshjet.
Courell ka bërë të ditur se para ndeshjes nuk do të ketë shtrëngime duarsh mes futbollistëve dhe as shkëmbim flamujsh simbolikë.










