Nën dyshimin për “Fajde” dhe “Kanosje”, B.M, Sh.B dhe M.B ranë në prangat e Policisë së Kosovës, të mërkurën e 23 shtatorit.
Tëvë1 ka siguruar Dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ku ka kërkuar edhe caktimin e masës së paraburgimit për të akuzuarit. (Foto 1)
Prokuroria pretendon se nga viti 2021 duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit A.Y. dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, të arrestuarit i kanë dhënë para në total 38 mijë euro me marrëveshje që të paguajë kamatë prej 10 për qind në muaj.
“I dëmtuari duke mos pasur mundësi që të paguaj për kthimin me kamatë të të hollave, i pandehuri B.M vazhdimisht ka ushtruar presion duke e thirrë se i njëjti është në presion të të pandehurit tjetër Sh.B, ku deri në muajin maj të vitit 2026 i dëmtuari A. ishte detyruar t’ia jap shumëm prej 123 mijë euroshm ndërsa më 11.09.2026 në takimin e zhvilluaes mes të pandehurve B.M dhe M.B i kanë kërkuar edhe shumën prej 27 mijë eurosh.”
M.B gjithashtu dyshohet se njërin prej viktimave e ka kanosur në forma të ndryshme.
“Gjatë muajit maj të vitit 2026, me qëllim të frikësimit, ka komunikuar edhe me djalin e të dëmtuarit, A.Y., duke i shkaktuar këtij të fundit ankth dhe shqetësim dhe përmes mesazheve SMS, i pandehuri i ka bërë presion të vazhdueshëm lidhur me kthimin e shumave të parave dhe e ka kanosur seriozisht se, nëse borxhi nuk kthehet ‘do të bëhet shumë keq’”.
Sipas organit ndjekës, masa e paraburgimit është e domosdoshme pasi lënia e tyre në liri, mund të ndikojë edhe te dëshmitarët.
Televizioni ka siguruar edhe intervistën e dhënë nga M.B në Policinë e Kosovës.
Para hetuesve, ai pranoi se i ka dhënë para të dëmtuarit, por jo me qëllim të fajdesë.
“Po i kam dhënë para nga viti 2021 deri në 2023 sa më kujtohet viti dhe shuma që ia kam dhënë është totat 52 mijë por këto para ia kam dhënë në kohë dhe shuma të ndryshme. Këto para nuk kanë qenë të miat i kam marrë te daja im i cili gjendet në Austri, kam marrë kredi dy herë 2 mijë euro, një herë 5 mijë euro…”
Pyetje: A i keni dhënë para me interes fajde A.?
Përgjigje: Jo kurrë në jetë.”
Po ashtu, ai tregon se për këtë borxh ka marrë para nga familjarët e tij, si bashkëshortja, djali e vajza.
“Po më ka dhënë bashkëshortja e A., djali i tij dhe vajza e tij, në vitin 2023 mi kanë dhënë afër 52 mijë euro në kohë dhe shumë të ndryshme, mirëpo bashkëshortja nuk e ka ditë që A. i ka këto para borxh tek tre persona nga Shqipëria, këtë e ka ditë vetëm A. dhe më ka thënë t’i them bashkëshortes së tij se paratë janë për disa persona nga Peja.”
Gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre, janë sekuestruar telefonë, 20 dosje të ndryshme mbi shitblerje, një fletore me shënime, të holla në euro dhe franga si dhe një veturë e tipit Audi A6.
Ndërkaq, gjatë ditës Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të pandehurve.






