Qeveria e ka pezulluar Hysen Muzliukajn nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Institutit për Administratë Publike, pas ngritjes së aktakuzës për korrupsion.
Në njoftimin e Qeverisë për mbledhjen elektronike të premten, është thënë se pezullimi i Muzliukajt do të zgjasë deri në përfundim të procedurës penale.
“Vendim për pezullimin nga marrëdhënia e punës në Shërbimin Civil, Z. Hysen Muzliukaj, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, i emëruar nga Qeveria me Vendimin Nr. 04/265 të datës 01.08.2025, pezullohet sipas detyrës zyrtare nga marrëdhënia e punës, për shkak se ndaj të njëjtit është ngritur aktakuzë në procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Ai deri në përfundim të kësaj mase do të marrë 50 për qind të pagës së plotë.
Prokuroria Speciale e Kosovës pati ngritur aktakuzë në shtator të vitit 2025 ndaj Muzliukajt dhe Faruk Mujkës, për kohën sa të dy ishin pjesë e Komunës së Mitrovicës. Kjo prokurori pretendon se ata i shkaktuan dëm shtetit mbi 100 mijë euro me këmbimin e një prone në kohën kur Mujka qe nënkryetar i Komunës së Jugut, e Muzliukaj drejtor i Gejodezisë. Dy të akuzuarit, sipas prokurorisë, kanë çuar në Kuvend Komunal propozimin për këmbim të pronës, e që nuk ishte e Komunës, por e Agjencisë së Kosovës për Privatizim, duke e dëmtuar kështu buxhetin publik.
Muzliukaj e Mujka janë deklaruar të pafajshëm.







