Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut në nderim të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe personave të tjerë të përfshirë në sulmin e Banjskës.
Haxhiu ka deklaruar se proceset e mëtejshme nuk duhet të vazhdojnë pa u adresuar çështja e dorëzimit të personave përgjegjës për sulmin.
“Para pak kohësh, tre terroristë u dënuan nga institucionet e drejtësisë, por kjo nuk mjafton. Ne kemi bërë thirrje vazhdimisht që Serbia ta dorëzojë kryeterroristin Milan Radoiçiq, si dhe mbi 40 terroristët e tjerë që ishin në këtë pjesë të territorit të Kosovës, me qëllim që të shtynin përpara planin e Serbisë. Edhe sot u bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë, sepse nuk mund të vazhdohet tutje në asnjë proces tjetër pa i dorëzuar Serbia terroristët, pa e dorëzuar Radoiçiqin dhe të tjerët”, ka thënë Haxhiu.
Ajo e ka cilësuar obeliskun si shenjë të respektit institucional për veprën e Afrim Bunjakut dhe sakrificën e Policisë së Kosovës.
“Obelisku që do të vendoset këtu është shenjë e respektit institucional për veprën e heroit Afrim Bunjaku, por edhe kushdo që do të kalojë në këtë pjesë të dijë më shumë se çfarë ndodhi atë ditë, cilat ishin planet e Serbisë dhe cila ka qenë sakrifica e policëve të Kosovës. Dhimbja e familjes Bunjaku është edhe dhimbja jonë, sikurse edhe krenaria e tyre është krenaria jonë”, është shprehur Haxhiu./teve1.info/







