Familja e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, ka hapur dyert për pritje me rastin e trevjetorit të rënies së tij, në përkujtim të rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Familjarë, të afërm, miq dhe qytetarë kanë nisur të mblidhen për të nderuar kujtimin e Bunjakut, i cili humbi jetën gjatë përleshjes me grupin e armatosur që sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit ndodhi një nga sulmet më të rënda të periudhës së pasluftës në Kosovë. Një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe duke plagosur dy zyrtarë policorë.
Pas përleshjeve, Policia e Kosovës vrau tre pjesëtarë të grupit të armatosur dhe arrestoi tre të tjerë. Në zonën përreth Manastirit të Banjskës u sekuestrua një sasi e madhe armësh, pajisjesh ushtarake dhe dokumentesh, të cilat autoritetet kosovare i kanë lidhur me organizimin e sulmit.
Dy ditë pas sulmit, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi pamje ku pretendohej se shihej Milan Radoiçiq së bashku me pjesëtarë të grupit në Manastirin e Banjskës. Më 29 shtator 2023, Radoiçiq publikisht mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit.
Tre vjet pas ngjarjes, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi. INTERPOL-i kishte lëshuar ndaj tij fletarrestim më 7 dhjetor 2023, ndërsa autoritetet e Kosovës kanë kërkuar arrestimin ndërkombëtar edhe të të akuzuarve të tjerë që ndodhen jashtë vendit.
Në Kosovë, Prokuroria Speciale më 11 shtator 2024 ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për vepra penale që lidhen me terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave. Sipas aktakuzës, grupi akuzohet se kishte synuar shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë.
Një ditë pas përvjetorit të parë të sulmit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve që ndodhen në paraburgim. Ata nuk e pranuan fajësinë, ndërsa procesi vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve. Për 42 të akuzuarit e tjerë, gjykata ka refuzuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.
Ndërkohë, në aktakuzë, Prokuroria Speciale pretendon se përgatitjet për sulmin kishin nisur më herët dhe se Radoiçiq kishte organizuar, armatosur dhe financuar pjesëtarë të grupit. Prokuroria gjithashtu pretendon për përfshirje dhe përkrahje nga struktura të Serbisë. Këto janë pretendime të përfshira në aktakuzë dhe do të trajtohen gjatë procesit gjyqësor.







