16 shtatori ishte data e shpalljes së vendimit ndaj ish krerëve të UÇK-së.
Trupi gjykues, Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin i shpalli fajtor për krime lufte dhe i dënoi me 81 vjet burgim.
Mirëpo, kjo katërshe nuk ishte e vetmja që u përmend në aktgjykim.
Si zbatues të qëllimit kriminal të ish krerëve, u theksuan edhe katër persona të tjerë.
“Të tjerë, veçanërisht Fatmir Limaj, Sabit Geci, Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi, ishin zbatues të zellshëm të qëllimit kriminal që kishte në shënjestër kundërshtarët”, u shpreh Smith.
Ky veprim i Charles Smith, po kritikohet nga njohës të fushës.
“Personat të cilët nuk janë dënuar më herët, apo personat të cilët nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit apo aktakuzës, nuk duhet të përmenden me emër dhe mbiemër, për arsye se krijohet një opinion që të njëjtit janë bashkëfajtor, për veprimet për të cilat janë gjykuar katër të akuzuarit në shkallën e parë”, ka thënë Alija.
Mirëpo, sa mund të llogaritet ky veprim i Charles Smith si sinjal për ndjekje tjera penale apo arrestime të reja?
Tëvë1 ka dërguar pyetje në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, mirëpo nuk ka marrë një përgjigje konkrete.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton mbi hetimet e saj”, tha Bennett
Aktgjykimi si tillë, vlerësohet se jep bindjen se trupi gjykues ka vendosur përtej asaj se çfarë ka pretenduar prokuroria.
“Me të drejtë krijon bindjen se është gjykuar më tepër se sa pretendimet e prokurorisë speciale. Pra, kishim një aktakuzë të ngritur dhe perceptimi i njohësve të rrethanave dhe njohësve të rendit dhe ligjit është krijuar që trupi gjykues ka nxjerrë një vendim që tejkalon edhe aktin akuzues të prokurorisë speciale”, deklaroj Hoxha.
E gjithë përbërja e aktgjykimit ndaj katërshes drejtuese të UÇK-së, është përcjellur me kritika. Një ndër to është edhe mungesa e paraqitjes së provave për dënimet e shqiptuara.



