Platforma “Liria ka Emër” ka ftuar për marsh më 1 tetor në Prishtinë në mbështetje të katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që javën e shkuar u dënuan me 81 vjet burgim për krime lufte.
Marsh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është bërë thirrje të ketë edhe jashtë Kosovës.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media të mbajtur të martën.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësues të kësaj platforme kanë kërkuar angazhim dhe koordinim të institucioneve të Kosovës, pas shpalljes së aktgjykimit dënues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin nga Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator.
Ndryshe që nga 16 shtatori në Prishtinë po organizohen protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Protestë për të njëjtin qëllim është organizuar edhe nga OVL-UÇK.








