Kryeministri Albin Kurti ka thënë se reformat ekonomike në Kosovë synojnë krijimin e vendeve më të mira të punës për të rinjtë dhe gratë. Ai e theksoi këtë gjatë takimit në Neë York me drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, bashkëbiseduesit diskutuan për partneritetin ndërmjet Kosovës dhe këtij institucioni, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit.
Kurti veçoi rritjen e produktivitetit, investimeve dhe eksporteve si rrugë për përmirësimin e punësimit. Në këtë drejtim, ai përmendi edhe nevojën për pjesëmarrje më të madhe në fuqinë punëtore.
“Prioritet për Qeverinë mbetet zgjerimi i programit tonë SuperPuna për Gratë, si dhe vazhdimi dhe përmirësimi i sistemit të arsimit dual”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Gjatë takimit, Kurti tha se ekonomia e Kosovës u rrit për 5.4% në tremujorin e parë të këtij viti. Për tremujorin e dytë, ai përmendi rritjen prej 4.1%.
Kryeministri Kurti dhe drejtorja Georgieva biseduan, siç raportohet, edhe për sfidat me të cilat po përballen vendet në mbarë botën, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës dhe krizën energjetike, si dhe për mekanizmat dhe masat që nevojiten për t’i përballuar këto sfida.
Ky takim u zhvillua gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.








