Kosova ka mbyllur konsullatën e Përgjithshme në Strugë, dhe është vendosur që shëbrimet konsullore të përqendrohen në ambasadën e Kosovës në Shkup.
Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Maqedonin e Veriut.
“Në bazë të Dekretit Nr.150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit përcjellës Nr.Ref 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftojmë se është mbyllur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Vendimi për mbyllje, sipas njoftimit, vjen për shkak të vlerësimit të dinamikës së këtij misioni.
“Vendimi bazohet në vlerësimin e dinamikës së këtij misioni konsullor dhe është në funksion të optimizimit të resurseve, në përputhje me qëllimet dhe nevojat e gjithëmbarshme institucionale.Në Strugë do të vijoj prezenca me zyre e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i ngarkuar me rreth konsullor pikërisht në këtë qytet”, bëhet e ditur më tej në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Ambasada e Kosovës në Shkup, krahas detyrave diplomatike, do të vijojë ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit e Kosovës në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.







