Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se kanë informacione se pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale mund të ketë intervistime dhe arrestime të tjera.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Syla është shprehur se këto informacione nuk i kanë marrë drejtpërdrejt nga Gjykata Speciale, por, sipas tij, një mundësi e tillë mund të nënkuptohet nga vendimi dhe qëndrimet e mëhershme të kësaj gjykate.
“Duhet ta kemi parasysh faktin që, në qoftë se ne heshtim, jemi të bindur që Gjykata Speciale do ta vazhdojë prapë ‘gjahun’ e saj edhe me persona të tjerë. Ne veçse kemi informacione që ka mundësi t’i zgjerojë akoma hetimet edhe të ftojë bashkëluftëtarë tanë të tjerë. Nuk i kemi informacionet nga Gjykata Speciale, por tërthorazi ky vendim i gjykatës na ka lënë të kuptojmë që eventualisht mund të ftohet edhe dikush tjetër, sepse këta vetë e kanë thënë në një qëndrim, kur janë pyetur për mandatin e tyre, se kur do të përfundojë mandati i tyre dhe a do të përfundojë pas aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së. Ata kanë thënë: ‘Jo, ne do t’ju tregojmë kur’. Prandaj, të gjitha aktivitetet që po i bëjmë janë edhe në të mirën e ndonjë ‘gjahu’ tjetër që mund ta bëjë Gjykata Speciale. Prandaj, nuk duhet të ndalemi në asnjë rrethanë”, ka deklaruar Syla.
Duke folur për nismën e PDK-së për procedimin në Kuvend të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Syla ka thënë se duhet të ndërmerren veprime dhe të mos ketë heshtje.
“Ne duhet të bëjmë diçka, nuk guxojmë të qëndrojmë të heshtur dhe nuk guxojmë ta pranojmë këtë vendim në asnjë rrethanë. Qoftë me protesta, qoftë me këto aktivitete ligjore, sikur ky i PDK-së në Kuvend, por me hesht asnjëherë, sepse atëherë i bie që ne po e pranojmë këtë gjykim si normal, e ky gjykim nuk është normal”, ka theksuar ai.
Syla ka shtuar se edhe OVL-UÇK-ja kishte planifikuar një nismë të ngjashme për ndryshimin e legjislacionit që lidhet me Gjykatën Speciale.
“Edhe ne si OVL kemi paraparë diçka të tillë. Megjithatë, meqenëse PDK-ja e nisi, ne po e lëmë këtë gjë që PDK-ja ta vazhdojë bashkë me deputetët e zgjedhur, nëse mund ta konsiderojmë që Kuvendi është konstituuar, sepse e dimë që PDK-ja vetë është ajo që e dërgoi çështjen e konstituimit të Kuvendit në Kushtetuese.Por, sido që të jetë, unë mendoj që, nëse ka një dakordim, shteti mund ta bëjë punën e vet në mënyrën më të mirë”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i dënuan Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë./teve1.info/




