Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka quajtur humbjen e CDU-së në zgjedhjet lokale një “katastrofë”, por është zotuar të qëndrojë në detyrë.
Në Mecklenburg-Vorpommern, CDU nuk arriti pragun prej 5%, ndërsa AfD ishte në rrugën e duhur për të dalë forcë e parë. Megjithatë, partitë e tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me AfD-në.
Në Berlin, CDU pritej të humbiste ndaj Die Linke, e cila mund të merrte rreth 26% të votave, kundrejt 19% për CDU-në. AfD parashikohej me rreth 16%.
Rezultatet kanë shtuar presionin ndaj Merz-it, pas muajsh me vlerësime të dobëta dhe spekulimeve se ai mund të zëvendësohet gjatë mandatit, shkruan BBC
Merz, megjithatë, tha se do të vazhdojë me planet e koalicionit për reforma ekonomike, tatimore dhe të mirëqenies.
“Reformat duhet të vijnë,” këmbënguli ai. “Po e marr përsipër këtë përgjegjësi, sepse dua ta çoj vendin tonë përpara”.
“Ajo që duhet bërë tani kërkon forcë, vendosmëri dhe durim”, tha Merz. “Do ta demonstroj këtë si kryetar i partisë CDU dhe, mbi të gjitha, si kancelar i vendit tonë.”
“Do të shkoja deri aty sa të thoja se këto reforma janë antidoti ndaj helmit autoritar që, me magjepsjen e autoritarizmit, po depërton gjithnjë e më thellë në shoqërinë tonë”, shtoi Merz.
Humbjet vijnë vetëm dy javë pasi CDU pësoi rënie të madhe në Saksoninë-Anhalt, ku AfD arriti një rezultat të fortë.








