Për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”, sot do të ketë ndërprerje dhe kufizime të qarkullimit në disa nga rrugët kryesore në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se nga ora 09:00 e deri në përfundimin e maratonës do të ndërpritet qarkullimi në rrugën Prishtinë–Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Kufizime do të ketë edhe në segmente të tjera rrugore, përfshirë një pjesë të autostradës.
Për të lehtësuar qarkullimin gjatë zhvillimit të maratonës “Prishtina 2026”, Policia ka përcaktuar disa rrugë alternative.
Ngasësit që udhëtojnë nga Peja drejt Prishtinës rekomandohen të kalojnë përmes Sllatinës, Magurës dhe Lipjanit. Ndërsa për udhëtimet nga Peja dhe Fushë-Kosova mund të shfrytëzohet rruga përmes Sllatinës, Bardhit të Vogël dhe Kuzminit.
Për ata që udhëtojnë nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës dhe Aeroportit, rekomandohet itinerari Prishtinë–Lipjan–Rufc i Ri–Poturoc–Magurë–Aeroport.
Ndërkaq, ngasësit nga Mitrovica në drejtim të Pejës ose Aeroportit këshillohen të përdorin autostradën nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, e më pas rrugën përmes Lipjanit, Rufcit të Ri, Poturocit dhe Magurës.
Policia ka njoftuar gjithashtu se autobusët e transportit publik në relacionin Prishtinë–Fushë-Kosovë–Aeroport dhe në drejtim të Pejës nuk duhet të qarkullojnë në rrugët e bllokuara gjatë kohës së maratonës, por të përdorin rrugët alternative të përcaktuara.




