Djali i Salih Mëziut, mbetjet mortore të të cilit u konfirmua se janë gjetur në 27 vjet pas zhdukjes,Tomor Mëziu, tha se për familjen zemrat mbesin të thyera, në pritje të identifikimit edhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes.
Analizat e ADN-së kanë konfirmuar se tri nga mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut u përkasin personave nga grupi i njohur si “Grupi i Intelektualëve”, aktivistë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999 dhe që kanë figuruar të zhdukur deri tash. Ata janë intelektualët Idriz Rreci, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu.
“Të nderuar familjarë e miq, Ju njoftojmë se njëri nga 10 pjesëtarët e familjes Mëziu, nga Marina e Skenderajt, të zhdukur në kuadër të “Grupit të Intelektualëve”, është identifikuar. Ai është baba Salih Mëziu. Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje, kjo është një përgjigje e dhimbshme, por njëkohësisht e shumëpritur. Për kaq gjatë kemi jetuar me ankthin, shpresën dhe dhimbjen e pritjes, duke mos ditur se ku prehej i baba ynë. Sot, edhe pse kemi marrë një përgjigje, zemrat tona mbeten të thyera. Ne vazhdojmë të presim identifikimin edhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes sonë, me shpresën që, pas kaq shumë vitesh, të mund të organizojmë ceremoninë e varrimit dhe t’u japim lamtumirën e fundit, me nderimin që meritojnë. Jemi në koordinim me institucionet kompetente dhe lutemi që sa më shpejt të kemi lajme edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes sonë”, shkroi në Facebook, Tomor Mëziu.







