Policia e Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor të trafikut, i cili ishte përfshirë në një incident para nisjes së protestës së sotme të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) në Prishtinë.
Rasti lidhet me tentativën e policisë për ta ndaluar ish-deputeten Aida Dërguti, nën dyshimin se kishte shkelur rregullat e komunikacionit teksa po kalonte rrugën për t’iu bashkuar protestës.
Ndalimi i saj shkaktoi reagimin e protestuesve, të cilët kundërshtuan veprimin e zyrtarëve policorë, duke çuar në një përplasje mes tyre dhe Policisë së Kosovës.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani njofton se një zyrtar policor i trafikut është suspenduar.
“Policia e Kosovës bazuar në udhëzimet dhe procedurat e parapara, ka suspenduar një zyrtar policor të trafikut, i cili ka qenë i përfshirë në një rast para fillimit të protestës së sotme në kryeqytet”, deklaroi Kelani.




