Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci ka reaguar pas protestës së sotme në Prishtinë, duke thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe mbetet simbol dhe vlerë e popullit shqiptar.
Peci ka theksuar se protesta është një e drejtë e garantuar në demokraci dhe se Partia Guxo e respekton atë, por ka kundërshtuar, siç ka thënë ai, çdo përpjekje për stigmatizimin dhe sulmet ndaj ministres Donika Gërvalla.
“UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht”, ka shkruar Peci.
Ai ka thënë se familja e Donika Gërvallës dhe vetë ajo përfaqësojnë, sipas tij, një kapitull të rëndësishëm në historinë e sakrificës për lirinë e Kosovës.
“Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm”, është shprehur Peci.
Duke iu referuar një prej brigadave të UÇK-së, e cila mbante emrin “Jusuf Gërvalla”, Peci ka vlerësuar kontributin e familjes Gërvalla në historinë e Kosovës.
Në fund të reagimit të tij, kreu i Guxos ka bërë thirrje për ndaljen e sulmeve ndaj Donika Gërvallës.
“Stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!”, ka përfunduar Peci.








