Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po monitoron në vazhdimësi çmimet e derivateve të naftës në Kosovë.
Sipas MINT-it, bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani nuk është evidentuar ndonjë abuzim me çmimet e shitjes në pompat e derivateve.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës, çmimi i importit të derivateve të naftës gjatë 24 orëve të fundit ishte 1.83 euro për litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë, sipas raporteve të Inspektoratit, ka lëvizur nga 1.92 deri në 1.94 euro.
Ndërkaq, çmimi i importit të benzinës gjatë së njëjtës periudhë ishte 1.54 euro për litër, ndërsa në tregun me pakicë çmimi ka lëvizur nga 1.61 deri në 1.67 euro.
MINT ka bërë të ditur se monitorimi i çmimeve do të vazhdojë në territorin e Republikës së Kosovës.







