Në ditën e dytë të punës si kryeministër i rizgjedhur, Albin Kurti ka pritur në Zyrën e Kryeministrit përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në takim morën pjesë Shaip Kamberi nga PVD-ja, Visar Memeti nga APN-ja, Shqiprim Musliu nga LPD-ja, Sami Salihu nga LR, Armend Aliu nga AL-ja dhe Sali Salihu nga PD-ja. Të pranishëm ishin edhe Agim Sabedini nga PDSH-ja, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si dhe Arben Ferati nga Medvegja.
Sipas Kurtit, takimi shërbeu për të dëgjuar qëndrimet e përfaqësuesve politikë dhe për të diskutuar për sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe nevoja për bashkërendim politik, me theks të veçantë te mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve dhe forcimi i përfaqësimit të tyre, përfshirë atë parlamentar.
“Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për bashkëpunim e përgjegjësi të përbashkët. Dallimet partiake janë pjesë e demokracisë, por interesi i qytetarëve duhet të jetë pikëtakimi i angazhimit të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbetet një zotim i vazhdueshëm.
“Do të jemi pranë tyre në mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme”, ka deklaruar Kurti.







