Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas pranimit të raportit nga Komisioni Evropian ka thënë se raporti i këtij viti nuk konstaton ngecje prapa në asnjë fushë.
Ai në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE-së, Dirk Schuebel pas pranimit të raporti tha se Kosova meriton të marr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Kemi përshpejtuar dinamiken e reformave për Bashkimin Evropian, veçanërisht në planin e rritjes. Pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë. Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në raportin e këtij viti niveli i përgatijeve nuk ka rënë në asnjë fushë dhe Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund”, tha Kurti, raporton teve1.info
Ai ka thënë se afër 4 vjet që kur Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova ende mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status të vendit kandidat për anëtarësim.
“Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, ka deklaruar Kurti, duke i kërkuar ambasadorit Schuebel që sa më parë Kosovës t’i dorëzohet pyetësori rreth aplikimit, në mënyrë që të hapet rruga për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Kurti tha se raporti vlerëson përparime në fushën e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar si dhe ka vlerësuar mbajtjen e zgjedhjeve si të lira, demokratike e të konkurreshme.







