Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga qarkullimi të koncentratit për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, pasi është konfirmuar tejkalimi i nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1) në ushqimin për kafshë.
Produkti është prodhuar nga kompania “DE HEUS D.O.O” në Serbi dhe është importuar në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K., me seli në Rahovec.
“Masat përfshijnë LOT-et 0385010426007 dhe 0385020426001, deri në verifikimin përfundimtar të lidhjes së secilit LOT me mostrën dhe mospërputhjen e konstatuar. Është urdhëruar tërheqja e produktit, izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes së tij deri te operatorët dhe fermat ku është përdorur”, thuhet në njoftim.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që posedojnë produktin nga LOT-et e identifikuara që të mos e përdorin dhe të mos e vendosin në qarkullim.
Ata janë udhëzuar ta mbajnë produktin të veçuar dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për procedurën e tërheqjes.
Në kuadër të masave parandaluese, për një periudhë prej 30 ditësh është vendosur masë e përkohshme ndaj importit nga Serbia të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça.
“Gjatë kësaj periudhe, AUV do të kryejë një vlerësim të dokumentuar të rrezikut, duke u bazuar në rezultatet laboratorike dhe kontrollet zyrtare, për të përcaktuar masat e mëtejshme”, theksohet në njoftim.
Paralelisht me tërheqjen e produktit, AUV ka intensifikuar kontrollet për praninë e Aflatoksinës B1 (AFB1) në misër dhe produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve, me fokus të veçantë te ushqimi për lopët qumështore.
Masat përfshijnë kontrolle të shtuara, marrjen e mostrave dhe analiza laboratorike.
“Aflatoksina B1 (AFB1) është një substancë toksike që mund të jetë e pranishme në misër dhe ushqimin për kafshë. Sipas vlerësimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), aflatoksinat paraqesin shqetësim për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, veçanërisht në mëlçi.
Kur lopët qumështore konsumojnë ushqim të kontaminuar me AFB1, një pjesë e saj mund të metabolizohet në Aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht. Për këtë arsye, kontrolli i AFB1 që në ushqimin për kafshë është i rëndësishëm për parandalimin e kalimit të aflatoksinave më tej në zinxhirin ushqimor”, theksohet më tej në njoftim.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në pikat kufitare dhe brenda territorit të Kosovës, përfshirë marrjen e mostrave, analizat laboratorike dhe gjurmueshmërinë e produkteve.
“Qëllimi i masave është identifikimi dhe ndërprerja e rrezikut në burim, mbrojtja e shëndetit të kafshëve, siguria e produkteve me origjinë shtazore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve”, bëhet e ditur në fund të njoftimit./teve1.info/







