Këshilli i Atlantikut të Veriut është mbledhur sot në formatin e KFOR-it, së bashku me partnerët që kontribuojnë me trupa, për të diskutuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas.
Gjatë takimit, Ulutas paraqiti një përditësim mbi angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
Sipas NATO-s, misioni vazhdon të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX-in.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe procesi i optimizimit të pranisë së KFOR-it.
NATO thekson se ky proces po zbatohet gradualisht dhe bazohet në zhvillimet e situatës së sigurisë në Kosovë.
Në rast të përkeqësimit të situatës, procesi mund të kthehet prapa.
Aleanca ka bërë të ditur se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pajisur, i trajnuar dhe i organizuar për të përmbushur mandatin e tij, duke ruajtur aftësitë dhe gatishmërinë e nevojshme për t’u përballur me skenarë të ndryshëm të sigurisë.
NATO e ka cilësuar Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi strategjike dhe ka përsëritur angazhimin e saj për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.
Aleanca ka shprehur gjithashtu mbështetjen e saj për Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar atë si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.
Gjeneralmajor Ozkan Ulutas pritet ta përfundojë mandatin e tij të dytë si komandant i KFOR-it në mesin e tetorit. Ai do të pasohet nga gjeneralmajor Roberto Vergori i Italisë.








