I njohur si rasti “Toka”, të martën u shqyrtua në Gjykatën e Apelit.
Ky rast lidhet me dyshimet për tjetërsimin e kundërligjshëm të pronave shoqërore në Veternik dhe Llapnasellë, ku sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit në bashkërendim, falsifikuan vendime, dokumente zyrtare, mashtruan e pastruan para përmes veprave korruptive.
Vendimi i Themelores në vitin 2024, që e liroi Azem Sylën nga akuzat, kurse nëntë të tjerët i dënoi me 39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë, është apeluar si nga Prokuroria, ashtu si edhe nga disa prej palëve mbrojtëse.
Në seancën e Apelit, prokuroria e shkallës së dytë kërkoi rigjykim.
“Aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, rivendosje sa i përket pjesës ku të akuzuarit janë liruar nga akuza. Dhe si alternativë propozojmë që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarit e liruar nga akuza, të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”, ka thënë prokuroria e Apelit, Sebahate Hoxha.
Pjesë e propozimeve të prokurisë ishte edhe konfiskimi i pasurisë.
“Si alternativë propozojmë që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet edhe sa i përket vendimit për konfiskimin në lidhje me kërkesën pasurore juridike, ashtu që Gjykata të konfiskojë pasurinë e përfituar me veprën penale e specifikuar dhe e përcaktuar në aktakuzë”, ka thënë tutje prokuroria e Apelit, Sebahate Hoxha.
Në këtë seancë, fjalën e morën edhe disa prej të akuzuarve.
“Dëshmitari numër një, i sjellë nga BIA dhe UDB-a serbe, as n’Kosovë nuk o kon kur pretendon prokuroria se akuzohemi për këto vepra. Ka dëshmi zyrtare se ai nuk ka qenë në Kosovë, ka qenë në shtetin serb, Beograd”, ka deklaruar i akuzuar, Shaban Syla.
“Nga dita e parë që ka fillu ky proces, jam ndjerë i persekutuar deri sot, për shkak të vërtetave dhe duke u thirrë në përgjegjësinë morale dhe materiale dhe në institucionin e besës së shqiptarit, asnjëherë, as nuk kam shitë as nuk kam ble asnjë centë në shtëpinë time nga këto toka. As s’ja kom dhanë kujt, as s’ja kom marrë kujt”, u shpreh i akuzuari, Ramadan Uka.
Si organizatori i këtij grupi ishte cilësuar Azem Syla, i cili në këtë seancë mungoi.
“Ankesa e prokurorisë të refuzohet në tërësi, ndërkaq në raport me Azem Syla të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë”, tha avokatja e Azem Sylës, Dafina Osmani.
Lirimin e klientëve të tyre e kërkuan avokatët e tjerë.
“E ka emrin e njollosur nga po ai spiun i BIA-s, që nuk dihet se ku e ka kokën dhe i njëjti është dënuar për emrin Shpresim Uka që e ka. Pra, tani kërkojmë nga ju se Shpresimi shpreson së bashku më mua shumë në drejtësi dhe në korrektësinë tuaj, që ky aktgjykim duhet të anulohet”, u shpreh avokati i Shpresim Ukës, Naim Rudari.
“Cila është prova konkrete që vërteton se i mbrojturi im, Abdurrahman Brajshori e ka ditur se prona kishte prejardhje kriminale dhe se i është ofruar me qëllim të pastrimit të parave”, tha acokati I Abdurrahman Brajshorit, Bahrie Besimi.
Në këtë rast gjyqësor, Prokuroria kishte përllogaritur se dëmi i shkaktuar kishte kapur vlerën e rreth 30 milionë eurove.






