Një anije luftarake ruse ka qëlluar dy sinjale emergjence drejt një helikopteri danez në Detin Baltik, ndërsa avionët luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron mbi Lituani, në incidentet e fundit të sigurisë në krahun lindor të aleancës, të lidhura me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Forcat e armatosura daneze thanë se helikopteri Fennec “u qëllua me fishekzjarrë gjatë një operacioni rutinë fotografik të një fregate ruse” në ujërat ndërkombëtare pranë Danimarkës. Fregata kishte qëlluar “dy fishekzjarrë drejt helikopterit. Njëra prej fishekzjarrëve kaloi nga afër drejt helikopterit”.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, dënoi “veprimin e pamatur të Rusisë ndaj ushtrisë daneze”, duke shtuar: “Veprimet ruse kanë për qëllim frikësimin dhe përçarjen. Ato nuk do të kenë sukses. Ne nuk do të lëkundemi.”
Në Lituani, Presidenti Gitanas Nausëda tha se një dron “që sapo hyri në hapësirën ajrore lituaneze u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-s”.
Sipas të dhënave paraprake, droni kishte ardhur nga Bjellorusia dhe u rrëzua nga një avion luftarak italian pranë liqenit Kaunas, raporton Guardian.
Në Holandë, trafiku hekurudhor u ndërpre rëndë pas zbulimit të materialeve të vendosura qëllimisht në shina në më shumë se 30 vende. Operatori ProRail e klasifikoi incidentin si sabotim, ndërsa autoritetet po hetojnë përgjegjësit.
Ndërkohë, Polonia ngriti avionë luftarakë “për shkak të aktivitetit të mjeteve ajrore pa pilot me motor reaktiv rusë që kryenin sulme në territorin ukrainas”. Operacioni ishte parandalues dhe nuk u raportua shkelje e hapësirës ajrore polake.




