Regjisori i njohur i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari ka bërë të ditur se pas 13 vitesh pritje ka fituar betejën gjyqësore lidhur me shfaqjen “39 Shkallët”, të cilën e kishte realizuar në vitin 2013 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Myftari ka njoftuar se Gjykata e shkallës së dytë ka vendosur në favor të tij, duke thënë se me këtë vendim është njohur e drejta që ai e kishte mbrojtur që nga fillimi dhe është realizuar edhe honorari që, sipas tij, i ishte mohuar padrejtësisht.
Regjisori ka rrëfyer se koncepti i shfaqjes ishte diskutuar dhe dakorduar me drejtoreshën e atëhershme të TKK-së, Burbuqe Berisha, ndërsa problemet nisën pas ndryshimit të menaxhmentit të teatrit, gjatë kohës kur ai ishte ende në prova.
Sipas Myftarit, pretendimet për shfaqjen u ngritën vetëm pas premierës dhe më pas çështja u zhvendos nga një problem institucional e kontraktual në një debat publik dhe personal.
Ai thotë se për vite me radhë ishte përballur me atë që e cilëson si “fushatë diskreditimi” dhe “linçim publik”, duke pretenduar se rasti ndikoi edhe në angazhimet e tij të mëvonshme profesionale.
“Për vite me radhë, kjo histori u shndërrua në një etiketë që më ndoqi kudo. Projekte të ndryshme m’u mohuan, ndërsa në raste të caktuara më është bërë e ditur se ky rast përdorej si arsye për të mos më angazhuar”, ka shkruar Myftari.
Ai ka theksuar se pavarësisht situatës, ka vazhduar punën artistike dhe deri tani ka realizuar 28 shfaqje profesionale.
Myftari ka shprehur mirënjohje edhe për njerëzit që, sipas tij, i kanë qëndruar pranë gjatë këtyre viteve dhe kanë refuzuar ta gjykojnë pa i njohur faktet.
“Për 13 vjet shumë njerëz folën për këtë rast. Sot ka folur gjykata”, ka deklaruar ai.
Regjisori ka thënë se nuk e sheh vendimin si fitore ndaj individëve apo institucioneve, por si një fitore të këmbënguljes dhe të së vërtetës.
“Pas 13 vjetësh, nuk ndiej triumf ndaj individëve as institucioneve. Ndiej vetëm një satisfaksion moral nga fakti që e vërteta, sado vonë, e gjeti rrugën e saj”, ka përfunduar Myftari./teve1.info/







