Ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare aktivistja për të drejtat e njeriut, mjekja, poetja dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.
Brovina lindi në Skenderaj, ndërsa arsimin e kreu në Prishtinë. Ajo studioi mjekësi në Beograd dhe Prishtinë, ndërsa specializimin në pediatri e përfundoi në Zagreb.
Gjatë karrierës së saj, Brovina punoi edhe si gazetare në të përditshmen “Rilindja”, përpara se t’i rikthehej profesionit të mjekes.
Në vitin 1992, ajo themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave.
Një nga periudhat më të rënda të jetës së saj ishte gjatë luftës në Kosovë. Më 20 prill 1999, Brovina u rrëmbye nga banesa e saj nga forcat paramilitare serbe dhe u dërgua në burgun e Pozharevcit në Serbi. Atje u dënua me 12 vjet burgim.
Pas presionit ndërkombëtar, ajo u lirua dhe u kthye në Kosovë në vitin 2000.
Pas kthimit, Brovina vazhdoi angazhimin e saj në çështje humanitare, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe në jetën politike të vendit.
Përveç profesionit dhe angazhimit shoqëror, Flora Brovina ishte edhe poete. Ajo botoi disa përmbledhje me poezi, ndër to “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979) dhe “Mat e çmat” (1995). Krijimtaria e saj poetike është përfshirë në antologji të ndryshme dhe është përkthyer në disa gjuhë.
Në jetën politike, Brovina ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo gjithashtu ka shërbyer si kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Flora Brovina do të kujtohet për angazhimin e saj në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kontributin në shëndetësi, veprimtarinë humanitare, si dhe për krijimtarinë e saj letrare.









